Shendetesi
Kujdes nga disa ilaçe që mund të japin probleme me zemrën !
Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë paralajmërojnë pacientët të mos marrin doza të larta të ilaçit naproxen ose ta përdorin atë më shumë se 10 ditë pa recetë nga mjeku pasi mund të rrisë gjasat për infarkt, ose hemoragji cerebrale, kjo sipas rezultateve të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë. Naproxen përdoret gjerësisht për pacientët me artrit për të ulur dhimbjet. Ai jepet me recetë, apo shitet lirisht në farmaci nën emrin Aleve.
Shkencëtarët e zbuluan një gjë të tillë, gjatë një studimi për të gjetur nëse ky ilaç dhe Celebrexi, problemet me të cilin dolën në pah më parë, mund të përdoreshin për të ngadalësuar efektet e sëmundjes së Alcaimerit. Rreth gjysma e 2 mijë e 500 personave të moshuar që ishin pjesë e studimit kishin shprehur shqetësime, dhe për shkak të problemeve me celebrexin që u gjet se ka lidhje me rritjen e rrezikut për goditje në zemër në se merret në doza të larta, ishte nxitur kryerja e studimit edhe për naproxinën.
Zyrtarë të shëndetësisë thonë tani se askush nuk i kishte studiuar më parë efektet afatgjata të ilaçeve si Aleve, apo Motrin dhe Advil.
Ndërkohë kompania farmaceutike Merck hoqi nga tregu amerikan një ilaç tjetër, të quajtur Vioxx, pasi u zbulua se ai shkaktonte probleme në zemër.
Ilaçet e tensionit të efektshme kundër infarktit
Një studim i kohëve të fundit i kryer në klinikën e Klevelandit tregon se një nga ilaçet kryesore që përdoren kundër tensionit të lartë të gjakut, Amlodipina, u tregua më e efektëshme për pakësimin e rrezikut të goditjeve në zemër tek personat që vuajnë nga zemra por që kanë tension normal të gjakut.
Mjeku Steven Nissen pranë klinikës së Klevelandit thotë se tani për tani askush nuk mund të rekomandojë ilaçe për uljen e tensionit të gjakut për një person, tensioni i gjakut të të cilit është më i ulët se 13. Por kjo praktikë mund të ndryshojë, po të kihen parasysh rezultatet e studimit që tregojnë se pacientët me sëmundje të zemrës që kanë tension normal të gjakut, që është 13 me 8, mund të përfitojnë nga ilaçet që u jepen pacientëve me tension të lartë gjaku.
Ky studim zgjati 2 vjet dhe në të u përfshinë rreth 2 mijë pacientë me sëmundje koronare por me tension normal të gjakut. Pacientët u ndanë në 3 grupe. Një grup u trajtua me ilaçe të zakonëshme, grupi i dytë me Amlodipinë dhe i treti me Enalapril.
Amlodipina dhe Enalaprili janë ilaçe kundër tensionit të gjakut, por me efekte të ndryshme. Doktor Nissen thotë se tek pacientët me tension normal gjaku që morën ilaçin Amlodipin, shkalla e tensionit thuajse nuk ndryshoi ndërsa rreziku i goditjeve në zemër, bllokimit të artereve, vdekjeve, shtrimit në spitale për dhimbje në gjoks ose nevojës për angioplasti ose operacione bajpass u pakësua me 30 përqind.
Ekspertët thonë se ky është studimi i parë që tregon se ilaçet kundër tensionit të lartë të gjakut aktualisht mund të ngadalësojnë krijimin e plakëzave të gjakut në arteret e zemrës. Dihet se këto pllakëza kur shtohen bllokojnë qarkullimin e gjakut duke shkaktuar goditje në zemër dhe vdekje.
Zemra dhe ushtrimet fizike
Një studim i ri provon se sa më i shëndetshëm të jetë njeriu në moshë të re, aq më e qëndrueshme do të jetë gjendja e tij shëndetësore dhe më i pakët rreziku nga problemet e zemrës.
Studimi, i botuar në numrin e fundit të Revistës së Shoqatës Mjekësore Amerikane, analizoi gjendjen shëndetësore të 4 mijë e 500 të rinjve nga mosha 18-30 vjeç për 15 vjet radhazi.
Gjenda shëndetësore u përcaktua nga përgjigja e sistemit kardiologjik dhe atij të frymarrjes gjatë përdorimit të një aparature për stërvitje: "Një ndër përfundimet kryesore të studimit ishte se të rinjtë që nuk gëzonin shëndet të mirë, me kalimin e kohës ndesheshin me një rrezik më të madh për tu prekur nga sëmundja e zemrës. Ata që bënin një nivel të ulët ushtrimesh fizike kishin 3-6 herë më shumë gjasa të vuanin nga tensioni i lartë, diabeti dhe probleme të metabolizmit se sa pjesëmarrësit që bënin ushtrime rregullisht. Ndërsa ata që bënin fare pak stërvitje fizike kishin 40 për qind më shumë shanse për nivele të larta kolesterine".
Dr. Carnethon është autore e studimit mbi rrezikun e problemeve koronare tek të rinjtë. Ajo thotë se pjesëmarrësit që përmirësuan gjendjen fizike gjatë studimit, ulën njëkohësisht rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës. Pra mesazhi është i qartë: Nuk është kurrë vonë të vish në formë të mirë fizike. Ata që filluan fiskulturën dhe që ruajtën gjendjen e mirë fizike kishin rrezik më të vogël për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare në moshë të mesme. Mjekja thotë se kjo thekson atë që studiuesit kanë besuar prej kohësh. Por ky është studimi i parë që mat në mënyrë objektive efektet afat-gjata të gjendjes së mirë fizike tek të rinjtë.










