14 mijë persona kërkojnë ndihmë sociale
Sipas të dhënave të Qendrës për punë sociale në Therandë, gjendja sociale e qytetarëve të kësaj komune po bëhet çdo ditë më e vështirë dhe ka marrë masa shqetësuese, pasi vlerësohet se rreth 40 për qind e popullatës përballet me vështirësi të natyrës sociale, kurse mbi 18 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri të skajshme. Në mungesë të shoqatave humanitare e bamirëse, e vetmja derë ku mund të trokasin familjet skamnore është Qendra për punës sociale, por për shkak të limiteve buxhetore dhe kritereve tejet të ashpra, ky institucion nuk mund t`u dalë në ndihmë të gjitha familjeve të varfra.
Drejtori i QPS-së, Sami Rrakaqi, tha:” Numri i familjeve skamnore që paraqiten për realizimin e asistencës sociale dita-ditës po shtohet, por për shkak të rregullativës ligjore në fuqi një pjesë e familjeve skamnore nuk kanë mundësi të realizojnë këtë të drejtë, por edhe asistenca nuk është e qëndrueshme, ajo është për një kohë të caktuar. Numri i familjeve skamnore po shtohet me të madhe, ndërsa mundësia për ndihmë është e vogël. Por shpresojmë se do të vijnë ditë më të mira dhe do të hapen vende të reja të punës, dhe shumë të rinj do të gjejnë punë dhe me pagën e tyre të sigurojnë ekzistencën e familjeve.
Në evidencën e Qendrës për punë sociale për muajin dhjetor figurojnë se shfrytëzues të asistencës sociale janë 827 familje me gjithsej 4027 anëtarë, por ky numër nga muaji në muaj pritet të shtohet”, tha Rrakaqi. “Dikur komuna e Therandës krenohej me numrin e madh të punësuarve në sektorin shoqëror, pasi industria kimike dhe ajo bujqësore ishin mjaft rentabile, ndërsa tash kur ndërmarrjet shoqërore janë privatizuar, numri i atyre që e sigurojnë ekzistencën nga marrëdhënia e punës është shumë i vogël”. Edhe sipas të dhënave të Zyrës komunale për punësim, papunësia është tejet e madhe dhe numri i të papunëve po rritet nga muaji në muaj.
Deri më 31 dhjetor 2009 numri i punëkërkuesve ka tejkaluar shifrën mbi 14 mijë të papunë. Por shikuar realisht numri i të papunëve është shumë më madh, se shumë qytetarë, edhe pse janë të papunë, fare nuk regjistrohen si të papunë në Zyrën komunale të punësimit. Përgjegjësi i Zyrës së punësimit në Therandë, Nexhat Gashi tha se numri më i madh i punëkërkuesve është i moshave më vitale për punë rreth 25-39 vjeçare.
Rr. REXHAJ
Theranda Info
Popullsia: 80.460 banorë
Dendësia: 224 banorë/km2
Shtypja Atmosferike: 959 mb
Shpejtësia e Erës: 25-30 m/s
Lartësia Mbidetare: 420 m
Temperatura Max.: 370C
Temperatura Min.: -160C
Aeroporti Prishtinë: 50 km
Porti Detar Durrës: 240 km
Kodi Postar: 23000
Shteti: Kosova
















