Për një certifikatë, 20 kilometra rrugë
Qytetarët e fshatrave të zonave të komunës së Therandës përballen me probleme e vështirësi të ndryshme jetësore, sepse u mungojnë shërbimet shëndetësore, të gjendjes civile etj. Më së vështiri e kanë qytetarët e fshatrave të zonave të thella malore, Griçecit, Rrezes (Javorit), Lushtës (Luzhnicës), Qadrakut, Trollit (Dragaçinës) etj. Edhe pse në fshatin Duhël formalisht ekziston zyra e gjendjes civile që shërbimet e ofiqarisë duhet t`i kryejnë qytetarët e fshatrave të cekura më lart, në mungesë të kompetencave të personit zyrtar, qytetarët e fshatrave Rreze (Javor) e Lushtë (Luzhnicë) për të pajisur me një certifikatë të lindjes apo ndonjë dokument tjetër personal vetëm në njërin drejtim duhet të udhëtojnë jo më pak se 20 kilometra deri në Therandë.
Nënkryetari i fshatit Lushtë (Luzhnicë), zoti Sali Gashi, shprehu shqetësimin se 11 vjet pas luftës qytetarët pa nevojë keqtrajtohen. “Institucionet qendrore dhe lokale duhet që të gjitha shërbimet qytetarëve t`ua ofrojnë sa më afër”, tha zoti Gashi. Kurse, shefi i sektorit të gjendjes civile, zoti Avdi Sylaj, tha:” Është e vërtetë se qytetarët e fshatrave për t`i pajisur me dokumente patjetër duhet të vijnë në qendër, se ne shërbimet tona i kryejmë në bazë të rregullores ligjore në fuqi.
Ofiqarët në zyrat e vendit në terren nuk kanë as vula as të drejtën e nënshkrimit. Çështja e autorizimit të ofiqarëve në terren me vula dhe nënshkrime nuk është në kompetencë të Komunës, duhet të zgjidhet në nivel qendror për gjithë territorin e Kosovës”, tha ai dhe shtoi: “Në qendër të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me resorin e gjendjes civile qytetarëve u kryhen në mënyrë korrekte dhe efikase. Për çdo dokument të kërkuar qytetari e merr brenda një ore.
Në bazë të raportit të sektorit të gjendjes civile, shihet se gjatë vitit 2009 shërbimi i ofiqarisë ka lëshuar mbi 60.000 dokumente për pajisej e qytetarëve me dokumente personale, 30.077 certifikata të lindjes, 12.760 certifikata të martesës, 624 të vdekjes, 3.391 të shtetësisë, 5.502 certifikata të vendbanimit etj. Si duket, dukuria divorceve dhe e martesave me shtetas-e të huaj viteve të fundit ka hyrë në modë. Gjatë vitit 2009,në bazë të aktgjykimeve gjyqësore për prishje të kurorëzimeve, shërbimi i ofiqar në Therandë ka bërë 258 ndryshime në LAM dhe janë bërë 74 lidhje martesore me shtetas të huaj”, tha zoti Sylaj.
Rr. REXHAJ
Theranda Info
Popullsia: 80.460 banorë
Dendësia: 224 banorë/km2
Shtypja Atmosferike: 959 mb
Shpejtësia e Erës: 25-30 m/s
Lartësia Mbidetare: 420 m
Temperatura Max.: 370C
Temperatura Min.: -160C
Aeroporti Prishtinë: 50 km
Porti Detar Durrës: 240 km
Kodi Postar: 23000
Shteti: Kosova
















