Vetëm një këpucëtar, Rushit Kabashi
Si në gjithë Kosovën, edhe në Therandë dikur kishte shumë zejtarë të traditës. Njiheshin tirqpunuesit, shamipunuesit, rripapunuesit, samarxhitë , teneqepunuesit, farkëtarët, këpucëtarët, leshpunuesit, nallbanët, etj. Këto zeje, në ditët e sotme, thuajse janë shuar dhe ato i mbajnë mend vetëm më të vjetrit. Gjenerata e re nuk di për këto zeje, nuk i njeh vlerat e tyre, që dikur shumë njerëz jetonin dhe mbanin familjet nga ato veprimtari zejtare. Në qendër të Therandës, afër Urës së Madhe, gjendet një qoshk i vogël ku një zejtar i vetëm, Rushit Kabashi, ushtron edhe sot zejen e këpucëtarit. Rushiti merret vetëm me riparimin e këpucëve të dëmtuara. Mjeshtrin Rushit Kabashi e njohin të gjithë në Therandë dhe po të mos ishte ai qytetarët do të duhej t'i hidhnin këpucët pak të dëmtuara, por që mund të bahen edhe shumë gjatë, e që padyshim kursejnë edhe buxhetin e familjes.
Nostalgji për zejet e vjetra
Këpucëtari Rushiti thotë se këtë zeje e ushtron prej vitit 1998 dhe atë e ka mësuar te një mjeshtër tjetër i njohur, në Ferizaj. Më parë këtë zanat ka filluar ta ushtrojë në fshatin Mushtisht, kurse nga viti 1990 zejen e ushtron në Therandë. Ai rrëfen që si fëmijë i mban mend zejtarët që janë marrë me punë të ndryshme manuale. Ai me nostalgji i kujton tirqpunuesit, atë botë kur kishte shumë dele dhe prej leshit gratë bënin vek dhe prodhonin zhgunat, pastaj i shkalnin në valanicë dhe prej tyre bënin rroba, tirq e xhurdi, që edhe sot, aty këtu, mund ta takosh ndonjë të moshuar që i ka ruajtur dhe i vesh për ndonjë rast të veçantë. Atëbotë, gratë me punë dore i kanë bërë veshje-mbathjet për të gjithë anëtarët e familjes. Popullata e fshatrave të Therandës deri vonë i ka ruajtur me xhelozi veshjet e vjetra të traditës, që janë një pasuri e trashëgimisë së kulturës sonë materiale. Për fat të keq, një pjesë e madhe e kësaj trashëgimie është djegur dhe asgjësuar në luftën e fundit. Tani, të rinjtë fare pak, ose aspak, nuk e njohin këtë pasuri etnografike të kulturës sonë kombëtare. Në asnjë familje gratë më nuk punojnë me vek. E reja po e zëvendëson të vjetrën. Zejet e vjetra pothuajse të gjitha janë shuar dhe kanë"vdekur", përveç këpucëtari Rushit. "Unë ende disi po mbahem me këtë zanat. Më parë kam punuar edhe këpucë të reja, por tani nuk ka llogari, ngase prej Kinës së largët po vijnë këpucë me çmime të lira, 4-5 euro, dihet aspak kualitative.
Nga Kina, këpucë të lira
Tani merrem vetën me riparime, ka pak fitim, por duhet të merrem me diçka", thotë Rushiti. "Në ditë i fitoj 10-15 euro, por ka ditë që nuk kam fare punë", ankohet ai. Për shërbimin që e kryej, një ndreqje të këpucës, i marr një ose dy euro dhe me këtë veprimtari i mbaj shtatë anëtarë të familjes. Shpenzimet janë të larta, si blerja e materialit, shpenzimet e rrymës, taksa komunale, qiraja e lokalit, që duhet paguar Komunës, pasi qoshku ndodhet në hapësirë publike dhe për çdo vit më duhet të nënshkruaj kontratë me Komunën. Kur llogariten të gjitha shpenzimet, fitimi është minimal, por duhet punuar. Pa punë s'ka jetë", na tha në ndarje maestro Rushit Kabashi.
Rr. Rexhaj
Theranda Info
Popullsia: 80.460 banorë
Dendësia: 224 banorë/km2
Shtypja Atmosferike: 959 mb
Shpejtësia e Erës: 25-30 m/s
Lartësia Mbidetare: 420 m
Temperatura Max.: 370C
Temperatura Min.: -160C
Aeroporti Prishtinë: 50 km
Porti Detar Durrës: 240 km
Kodi Postar: 23000
Shteti: Kosova
















