“Krushqit nga Vlora“ rrëmben çmimin “Pavarësia“!
Organizatorët e festivalit “KosovaFest-17 Shkurti” në Therandë ishin skeptikë se si do të ecën festivali, por për shtatë net me radhë, sa zgjati manifestimi i madh kulturor, u pa se publiku artdashës i Therandës është i etur për manifestime të mirëfillta kulturore. Ata vlerësojnë se ky festival duhet të jetë tradicional dhe shpresojnë se në qytetin e tyre do shfaqen, kohë pas kohe, pjesë të ndryshme dramatike të këtij niveli, çfarë patën rastin t`i shohin në “ KosovaFest-17 Shkurti”. Shtëpia e kulturës “Ukë Bytyçi” për çdo mbrëmje ishte e mbushur plot me publik, i cili me kënaqësi shpirtërore ndiqte lojën e bukur të aktorëve në skenë.
Në natën e shtatë dhe të fundit të festivalit u shfaq drama e teatrit të Tetovës “Hamleti në teatrin tonë”, e autorit Ivo Brshon, por e përshtatur nga Jahi Jahiu, në regji të Agim Selimit dhe në interpretim të aktorëve Petrit Neziri, Altrim Mahmuti, Bekim Jahiu, Myzafer Ethemi, Argjend Hamati, Miradie Osmani, Burhan Hamiti, Naime Azizi, Sami Mustafa dhe Ali Qerimi. Kjo pjesë dramatike trajtonte punën e stafit të një teatri ku aktorët ishin të përçarë edhe në baza partiake. Partia që kishte fituar zgjedhjet drejtorin e teatrit e kishte futur në burg, kinse për keqpërdorime të mjeteve, kurse drejtor të ri e kishte emëruar një person joprofesionist, militant të subjektit të vet politik, si dhe e kishte emëruar edhe drejtoresha artistike e teatrit.
Aty shiheshin ndasitë në mes të trupës së teatrit, disa e përkrahnin drejtorin e ri e disa të tjerë e kundërshtonin. Pasi disa artistë heqin dorë nga projekti i ri për ta përgatitur dramën e re “Hamleti“ dhe në mungesë të aktorëve, vetë drejtori që nuk kishte lidhje me aktrim angazhohet në një rol, pasi teksti i dramës ishte i vështirë, drejtori i kërkon regjisorit që ta ndryshojë tekstin e dramës. Me lojën e mirë të aktorëve, kjo dramë-komedi përshkohet me humor e aktrim të natyrshëm dhe një shkallë të lartë universale.
Mbrëmë juria profesionale, në përbërje të Filip Treuex - dramaturg nga Brukseli, Daniel Levers-dramaturg e poet nga Parisi, Donard Hasani nga Tirana, Yllka Mujo nga Tirana, Ylber Bardhi e Zyber Kelmendi nga Prishtina, i ndan çmimet me sa vijon: Çmimin kryesor “Pavarësia“ e fitoi me meritë trupa teatrale nga Vlora, për dramën “Krushqit nga Vlora”, çmimin aktorja më e mirë e fitoi Edona Reshitaj, që lozi në dramën “Tregimi zoologjik”, në regji të Elmaze Nurës, kurse çmimi aktori më i mirë iu nda Ard Islamit, që lozi në dramën “ Sakati nga Inishmani”. Ndërkaq, çmimi i publikut i takoi artistit nga Tirana, Erand Sojli, për rolin në dramën “Drejtë lirisë”, çmimi aktori dytësor, jo protagonist iu nda artistit Mentor Zymberaj, që luajti në dy pjesë dramatike -“Gruaja pa emër” dhe “ Aktori në kuti”, kurse çmimi aktorja dytësore, jo protagoniste, iu nda aktores Albulena Kryeziu, që luajti në dramën “Tregimi zoologjik”, dhe çmimi regjia më e mirë iu nda regjisorit Ilir Bokshi, për regjinë e dramës të trupës së teatrit të Gjilanit “Sakati nga Inishmani”.
Rr. REXHAJ
Theranda Info
Popullsia: 80.460 banorë
Dendësia: 224 banorë/km2
Shtypja Atmosferike: 959 mb
Shpejtësia e Erës: 25-30 m/s
Lartësia Mbidetare: 420 m
Temperatura Max.: 370C
Temperatura Min.: -160C
Aeroporti Prishtinë: 50 km
Porti Detar Durrës: 240 km
Kodi Postar: 23000
Shteti: Kosova
















