Burimi synon të hapë fabrikë
Burim Gashi është fermeri më i suksesshëm në komunën e Therandës. Ai thotë se aktualisht në fermën e tij ka 43 krerë lopë të racave të mira qumështore dhe i punon mbi 200 hektarë tokë, që një pjesë të saj e punon me qira. Tokën e punon me mekanizmin e tij bujqësor. Ka dy traktorë, tri kombajna dhe gjithë makineritë e tjera të nevojshme bujqësore për t’i punuar luadhet dhe arat e mbjella. Vitin e kaluar, me grurë ka pasur të mbjellë 45 hektarë dhe ka arritur rendimente të mira, 137 tonelata grurë. Për punët e tija që i bën në lavërtari e blegtori, vitin që shkoi, nga Drejtoria për Bujqësi dhe Blegtori, është shpallur fermeri më i mirë për prodhimin e grurit. Sivjet, me grurë ka mbjellë 62 hektarë, kurse me misër ka planifikuar t’i mbjellë 12 hektarë dhe rreth 130 hektarë i ka luadhe dhe kullota. Për punët në bujqësi dhe legtori i ka angazhuar familjen dhe ka punësuar dy punëtorë nga Kukësi.
Gashi: Kam investuar 200 mijë euro
Burim Gashi tha: “Me bujqësi dhe blegtori merrem që 7 vjet. Po vazhdoj traditën e babait e të gjyshit se gjithmonë familja jonë ekzistencën jetësore e ka siguruar nga punët në bujqësi. Pas luftës i kemi bërë mbi 200 mijë euro investime dhe dukshëm e kemi zgjeruar veprimtarinë tonë në bujqësi. Kjo nuk është punë e lehtë, por ia vlen të punohet. Fermën e kam me pajisje bashkëkohore, për të marrë sasi të mëdha të qumështit, ferma duhet të jetë e pastër dhe me ndriçim të plotë të dritës. Ushqimi duhet të jetë sa më natyral. Me qëllim mbjell shumë grurë. Grurin e dorëzuar në mulli e zëvendësoj me krunde e poçinka, kurse misrin e gjelbër e grijmë dhe i ushqejmë lopët gjatë dimrit, me ushqim sa më natyral. Dhjetë krerë të lopëve i kam donacion nga Austria. Janë prej racave më të mira qumështore. Japin 30 litra qumësht në ditë. Tani një pjesë e lopëve janë mbarsur dhe së shpejti pres viçat. Do ta shtoj numrin e krerëve të gjedheve. Aktualisht në qumështoren “ABI” në Prizren, i dorëzoj 400 litra qumësht në ditë, kurse pasi të pjellin lopët, planifikoj të dorëzoj deri në 800 litra.
Subvencionet të vazhdojnë
Për t’i inkurajuar njerëzit që të merren me punë bujqësore dhe blegtori duhet të bëhet subvencionimi i qumështit, sepse çmimi grumbullues i tij është shumë i ulët, 26.5 cent për litër, çmim që nuk mbulon as shpenzimet elementare. Kompensimi nga 90 euro për një hektar të mbjellë me grurë ka qenë një ndihmë e leverdishme për fermerët. Shpresojmë që subvencionet në bujqësi e blegtori, të vazhdojnë edhe këtë vit nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillim Rural”, tha Burimi, për të shtuar se “në Kosovë po vjen qumësht prej Serbisë, Vojvodinës, Hungarisë etj, nuk duhet se çfarë cilësie ka. Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa për mbrojtjen e prodhimeve vendore, siç e bëjnë shtetet e tjera. Patjetër duhet të merren masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës që nuk e respektojnë marrëveshjen e CEFTA-s, ngase po na shkaktojnë dëme të pariparueshme, jo vetëm fermerëve, por edhe ekonomisë së Kosovës.” Në fund Burim Gashi tha se ka synim të hapë një fabrikë për prodhimin e qumështit!
/Kosova Sot/ Rr. REXHAJ
Theranda Info
Popullsia: 80.460 banorë
Dendësia: 224 banorë/km2
Shtypja Atmosferike: 959 mb
Shpejtësia e Erës: 25-30 m/s
Lartësia Mbidetare: 420 m
Temperatura Max.: 370C
Temperatura Min.: -160C
Aeroporti Prishtinë: 50 km
Porti Detar Durrës: 240 km
Kodi Postar: 23000
Shteti: Kosova
















