Përmbarimet, s’ka kush i bën
Gjykata komunale në Therandë, për t’i përmirësuar kushtet e punës, kohë më parë, ka investuar rreth 230 mijë euro për ndërtimin edhe të një kati të objektit ekzistues. Me zgjerimin e hapësirave të punës, të gjitha zyrat e punës janë pajisur me kompjuterë dhe material tjetër të domosdoshëm përcjellës të punës. Gjykata komunale dhe ajo për kundërvajtje një kohë të gjatë janë apostrofuar si të përfshira në afera korruptive, për çka nga puna janë larguar tre gjykatës, ndërkaq veprimtarinë juridike e ka ushtruar vetëm një gjykatës. Ai realisht nuk ka mundur të përballet me numrin e madh të lëndëve të parashtruara. Si pasojë e kësaj gjendjeje, është grumbulluar numër i madh i lëndëve, prej të cilave shumë syresh kanë mbetur sot e kësaj dite, të pazgjidhura. Për ta normalizuar gjendjen në këtë institucion juridik, me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tre gjykatës të gjykatës për kundërvajtje, kanë kaluar në Gjykatën komunale, të cilët i janë përveshur punës për të zgjidhur lëndët e stërgrumbulluara.
Gjykata me një gjyqtar
Sipas një raporti të punës, faktohet se gjyqtarët kanë punuar me një efikasitet, duke zgjidhur, mesatarisht, nga 30 lëndë në muaj. Mesatarja e lëndëve të zgjidhura në nivel të Kosovës, për vitin 2009, ka qenë 27.5 lëndë në muaj, për kokë të një gjyqtari. Krahasuar me vëllimin e numrit të madh të lëndëve, të cilat nga dita më ditë, sa vijnë shtohen, numri aktual prej katër gjyqtarëve, është i vogël për t’i zgjidhur të gjitha lëndët e këtij viti dhe një numri të madh të bartur nga viti në vit. Në këtë gjykatë, nga viti paraprak, janë bartur 4055 lëndë të pazgjidhura, kurse vetëm gjatë vitit 2009 janë pranuar edhe 1922 lëndë të reja, e në shqyrtim kanë qenë edhe 5977 lëndë, por që gjykata ka arritur t’i zgjidhë vetëm 1530 sosh, ndërkaq 4447 të tjera janë bartur në vitin 2010. Kryetari i Gjykatë komunale, Myrtez Jahaj, thotë se për shkak të mbingarkesës me lëndë të parashtruara, problem më vete para nesh shtrohet pamundësia e ekzekutimit të 2020 të lëndëve të kryera.
Ekzekutimi i lëndëve, ”Thembër e Akilit”
Pra, siç po shihet,numri i lëndëve të zgjidhura nga gjykatësit, ende nuk po e merr formën e prerë të përmbarimit, ngase me ekzekutimin e lëndëve të zgjidhura merret vetëm një zyrtar i gjykatës, e me rastin e ekzekutimit, dalin edhe probleme nga më të ndryshmet. Për ta zgjidhur problemin e ekzekutimit të lëndëve, gjykata së paku duhet t’i ketë 3 zyrtarë ekzekutivë. Me qëllim të përshpejtimit të procedurës së përmbarimit, gjykatës i duhen, së paku, edhe dy gjyqtarë. Në kolegjiumin e gjykatës është marrë vendim që lëndëve të vjetra, të zgjidhura, t’u jepet prioriteti i përmbarimit. Pa dilemë, në procedurën e ekzekutimit duhet kërkuar edhe ndihmën e Policisë së Kosovës, duke siguruar zyrtarët e gjykatës në përmbarimin e plotë të lëndëve të zgjidhura nga gjykatat.
/Kosova Sot/Rr. REXHAJ
Theranda Info
Popullsia: 80.460 banorë
Dendësia: 224 banorë/km2
Shtypja Atmosferike: 959 mb
Shpejtësia e Erës: 25-30 m/s
Lartësia Mbidetare: 420 m
Temperatura Max.: 370C
Temperatura Min.: -160C
Aeroporti Prishtinë: 50 km
Porti Detar Durrës: 240 km
Kodi Postar: 23000
Shteti: Kosova
















