Riorganizohet Ballkani!
Dështimi dhe rënia e Klubit Futbollistik Ballkani nga elita e futbollit kosovar në momentin e fundit, gjegjësisht në ndeshjen e barazhit kundër Lepencit, ka befasuar futbolldashësit, jo vetëm në Therandë, por edhe në Rahovec, ku therandasit kanë luajtur tërë stinorin pranveror si nikoqirë. Por, ky fakt po del mobilizues për anëtarët e Bordit të Klubit, të cilët janë duke u riorganizuar për kthim sa më të shpejtë në elitën e futbollit kosovar
Nga kryetari i klubit, Muharrem Elshani, mësuam shumë fakte shpresëdhënëse për këtë synim të punëtorëve të futbollit të Therandës, dhe më së miri po demantohen shkrimet e paradokohshme për dorëheqje të zyrtarëve të klubit, si dhe largimin e lojtarëve. Ai theksoi se në klub është duke u punuar me shumë seriozitet. "Bordit ekzistues prej 13 anëtarëve, iu kanë bashkëngjitur edhe 14 të tjerë, të gjithë biznesmenë të suksesshëm therandas, dhe jemi të përkushtuar që klubi të kthehet në elitën e futbollit kosovar, vetëm pas një edicioni të garave në ligën e parë", tha fillimisht Elshani për "Lajm", duke konfirmuar rikthimin e Blerim Kuçit në klubin "portokalli". "Pas 10 vjetësh largimi, në bordin e klubit po rikthehet kryetari Blerim Kuçi. Prandaj, situata financiare është zgjidhur për tërë edicionin e garave në ligën e parë, ku klubi do të menaxhojë tërë hapësirën e reklamave në qytet dhe po ashtu edhe tregun e gjelbër", vazhdoi më tej Elshani.
Ndërkohë, sa i përket lëvizjes së lojtarëve, ai thotë se deri më sot asnjë lojtar zyrtarisht nuk ka kërkuar largimin nga klubi. "Asnjë futbollist i Ballkanit nuk ka kërkuar zyrtarisht të largohet nga klubi, por në qoftë se ndonjëri prej tyre dëshiron të largohet, nuk do t'i bëhet pengesë", potencoi Elshani. Ai pohoi se terreni i stadiumit të qytetit do të jetë i gatshëm për 10-15 ditë, ndërkaq shfrytëzon mundësinë që përmes "Lajmit" të falënderojë KF Rahovecin, dhe futbolldashësit rahovecas për përkrahjen dhe mikpritjen e dhënë gjatë tërë stinorit pranveror. Ndërkohë, njëri ndër lojtarët më të mirë të Ballkanit, padyshim që ka qenë edhe portieri 19-vjeçar, Arjanit Kuçi, i cili tregon si e ka përjetuar rënien nga elita e futbollit kosovar. "Të them të drejtën, edhe pse jam i ri, goditje më të rëndë për shpirtin tim nuk kam përjetuar asnjëherë.
Dështimi i bashkëlojtarëve të mi në momentin e fundit, ka qenë një katastrofë, si për qytetin, ashtu edhe për futbolldashësit dhe tifozët tanë të flaktë. Por, mendoj dhe jam i bindur se me një riorganizim të mirë, në ligën e parë do të luajmë vetëm një edicion, ku pas një viti do të rikthehemi në Superligë", vlerësoi "gardiani" therandas. Ballkani kishte përfunduar kampionatin e rregullt në pozitën e dhjetë, e cila ia siguroi barazhin, por në ndeshjen vendimtare kundër Lepencit, "portokallinjtë" befasisht dështuan në atë takim, duke rënë në një kategori më poshtë. /GazetaLajm/ 4 korrik 2011
Theranda Info
Popullsia: 80.460 banorë
Dendësia: 224 banorë/km2
Shtypja Atmosferike: 959 mb
Shpejtësia e Erës: 25-30 m/s
Lartësia Mbidetare: 420 m
Temperatura Max.: 370C
Temperatura Min.: -160C
Aeroporti Prishtinë: 50 km
Porti Detar Durrës: 240 km
Kodi Postar: 23000
Shteti: Kosova
















