Pojani (Popolani)
Shtrihet rreth 12 km në juglindje të Therandës, rrëzë malit. Është vendbanim i tipit të grumbulluar.
Familjet: Krasniqi, Ndreca, Ahmetaj, Bajselmani, Basha, Jupa, Kolgeci, Buzhala etj.
Mikrotoponimet më karakteristike: Bungaja, Te Bagremat, Te Shpellat e Dhelpnave, Te Guri i Ukit, Branesh, Bunari i Ulicës, Varret e Elezit, Rodoqina etj.
Është vendbanim i vjetër, mirëpo nuk kemi hasur në gjurmë arkeologjike, edhe pse mund te ketë të shumta.
Në dokumentet e shkruara, banorët e tij përmenden në Librin e kujtimeve të manastirit të Shën Trinës të Mushtishtit i cili ka filluar të mbahet prej vitit 1465. Më vonë përmendët në një dokument kishtar të vitit 1626.
Në një hartë austriake të përpiluar në bazë të shënimeve të vitit 1689 është i regjistruar ky vendbanim me emrin Popovljane.
Me emrin Pupolan është i regjistruar si vendbanim në sallnamet e Vilajetit te Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 ha) dhe të vitit 1900 (1318 h).
Thuhet se popullata serbe kishte ardhur nga fshati Mogillë e Moravës para 300 viteve dhe më vonë nga fshatrat tjera si Delloci, Shushiqi etj., gjatë sundimit osman, si çipçi.
Në këtë vendbanim që ishte i banuar me popullatë serbe, pas dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vit. 1877/78 këtu ishte vendosur edhe një familje shqiptare muhaxhire. Kjo dëshmohet se në vitin 1905 ky vendbanim kishte 13 shtëpi serbe dhe një shqiptare. Si duket kjo familje pas vitit 1912 është shpërngulur nga ky vendbanim.
Fshati ishte pronë e agallarëve dhe e bejlerëve të Prizrenit dhe të Gjakovës.
Banorët shqiptarë në këtë vendbanim filluan te vendosen në vitet e shtatëdhjeta. Familja e parë e vendosur ishte ajo e Qamil Jupës, pastaj Shahin A. Basha nga Arrishta (Vraniqi), familjet tjera nga Gurkuqi (Maqiteva), Budakova, Arrishta etj.
Shënimet statistikore:
në vitin 1879 kishte 10 shtëpi serbe;
në vitin 1913 - 245 banorë;
në vitin 1918 - 15 shtëpi serbe me 166 banorë;
sipas regjistrimit të vitit 1921 - 11 shtëpi me 186 banorë;
në vitin 1928 - 12 shtëpi me 190 banorë;
në vitin 1948 - 30 shtëpi me 290 banorë;
në vitin 1953 - 42 shtëpi me 331 banorë;
në vitin 1961 - 51 shtëpi me 385 banorë (384 serbë, 1 malazias);
në vitin 1971 - 55 shtëpi me 330 banorë (329 serbe, 1 malazeze);
në vitin 1981 - 49 shtëpi me 242 banorë (6 shqiptarë, 236 serbë).
Sipas regjistrimit serb të vitit 1991, kishte 102 banorë serbë. Shqiptarët e bojkotuan këtë regjistrim.
Sipas shënimeve të marra në fshat në vitin 1999, kishte rreth 30 shtëpi serbe dhe 25 shtëpi shqiptare (me 240 banorë shqiptarë). Nga pasojat e luftës janë shkatërruar të gjitha shtëpitë shqiptare dhe pastaj edhe ato serbe. Është shkatërruar kisha ortodokse. Popullata shqiptare gjatë luftës ishte larguar nga fshati, ndërsa pas lufte është larguar ajo serbe. Gjatë luftës së fundit kundër pushtuesit serbë, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë pjesë 15 luftëtarë, tre prej tyre kanë rënë dëshmorë.Theranda Info
Popullsia: 80.460 banorë
Dendësia: 224 banorë/km2
Shtypja Atmosferike: 959 mb
Shpejtësia e Erës: 25-30 m/s
Lartësia Mbidetare: 420 m
Temperatura Max.: 370C
Temperatura Min.: -160C
Aeroporti Prishtinë: 50 km
Porti Detar Durrës: 240 km
Kodi Postar: 23000
Shteti: Kosova
















