Qershiza (Sravoçina)
Vendbanim i cili shtrihet rreth 8 km në verilindje të Therandës.
Është vendbanim kodrinoro-malor, shtëpitë e ndërtuara në shpate dhe në luginë.
Sipërfaqja: 226 ha, 80 ari, 40 metra.
Lagjet: Hysenaj, Shabani, Ukaj, Haziraj etj.
Në afërsi të fshatit, rreth 1,5 km. në veri të tij ekzistojnë gjurmët e vendbanimit të vjetër që quhej nga pushteti e administrata serbe me emrin Starasella - Fshati i Vjetër. Në këtë lokalitet janë gjetur eshtra të dorës me bylyzyk prej bakri. Janë gjetur varreza me eshtra shumë të gjatë, që siç thonë janë marrë dhe dërguar në Muzeun e Shkupit. Po ashtu vendbanim ka pasur edhe në jug të fshatit (livadhe) te lumi, ku dëshmohet me gjurmët e varrezave dhe themeleve të shtëpive.
Sipas fjalëve të pleqve, si p.sh. të Shaban Demës vdekur para 50 viteve në moshën 90 vjeçare, i cili kishte qenë ushtar i Turqisë 12 vjet, pastaj 25 vjet kishte qenë komandir stacioni policor në Shtërpcë dhe Biraq, kishte treguar, se dikur në kohën e bugarit paskan ardhur ushtarët bullgarë në ish Stravoqinë dhe e takojnë Shaban Demën dhe i kërkojnë konak për ushtarë. Ai u paska thënë: Jemi 4-5 shtëpi dhe nuk kemi konak për të gjithë. Komandanti bullgar nxjerr hartën dhe e pyet se ku është Stravoqina. Ai i thotë, kjo është Stravoqina, por në anë e veriut cili fshat është, u thotë Bllaca, në jug Bukoshi. Pastaj ai pyet prap, dhe tregon një hartë ku thotë se këtu figuron ky fshat me 300 shtëpi. Mixha Shaban, u thotë se në veri të fshatit ka shenja që ka pasur vendbanim, por nuk di asgjë për të, "se a e ka faruar ndonjë luftë, apo kanë dalë fare nga ndonjë sëmundje nuk di!".
Mikrotoponimet më karakteristike: Kroni i Sykës, Livadhi i Hazirit, Rogat e Hajdarit, Fusha e Hajdarit, Lugi i Munishit, Arat e Zanit, Fusha e Isbegut, Guri i Verdhë, Gjygjet, Bishti i Rrasës, Fusha e Madhe etj.
Për këtë vendbanim të banuar me popullatë autoktone shqiptare nuk kemi shënime për kohën se nga kur ekziston si vendbanim. Në dokumentet e shkruara nuk e kemi hasur me këtë emër, sigurisht është quajtur me ndonjë emër tjetër. Pleqtë e fshatit thonë se ky vendbanim është mjaft i vjetër dhe ekziston në kohën kur ka ekzistuar edhe fshati Delloc dhe Papaz. Sipas thënies tjetër, thuhet se fshati i tanishëm në fillim kishte 4 shtëpi, të katër vëllezërve të cilët kanë ardhur nga Junani (Greqia). Ata ishin dëbuar me dhunë nga atdheu i tyre dhe një kohë qëndruan në afërsi të Kukësit dhe prej aty erdhën e u vendosën në këtë vend.
Me emrin Istravoçine është e regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h).
Shënimet statistikore:
Rreth vitit 1879 kishte 3 shtëpi shqiptare;
në vitin 1913 - 92 banorë;
në vitin 1918 - 9 shtëpi shqiptare me 52 banorë;
sipas regjistrimit të vitit 1921 - 8 shtëpi me 59 banorë;
në vitin 1948 - 14 shtëpi me 98 banorë;
në vitin 1953 - 16 shtëpi me 102 banorë;
në vitin 1961 - 18 shtëpi me 110 banorë shqiptarë;
në vitin 1971 - 24 shtëpi me 192 banorë (191 shqiptarë, 1 të tjerë);
në vitin 1981 - 24 shtëpi me 260 banorë shqiptarë.
Para agresionit serb në vit. 1998-99 fshati kishte 41 shtëpi me rreth 400 banorë shqiptarë. Nga sulmet serbe u shkatërruan 11 shtëpi dhe disa objekte të tjera, ndërsa u vra një pjesëtar i UÇK-së dhe një grua plakë. Gjatë luftës pjesa më e madhe e popullatës qëndroi në malet e Llanishtit, ndërsa një pjesë e saj ishte deportuar në Shqipëri. Në vitin 2000 sipas shënimeve të Kuvendit Komunal kishte 502 banorë.Theranda Info
Popullsia: 80.460 banorë
Dendësia: 224 banorë/km2
Shtypja Atmosferike: 959 mb
Shpejtësia e Erës: 25-30 m/s
Lartësia Mbidetare: 420 m
Temperatura Max.: 370C
Temperatura Min.: -160C
Aeroporti Prishtinë: 50 km
Porti Detar Durrës: 240 km
Kodi Postar: 23000
Shteti: Kosova
















